Mirenë, 13 maj 2025 – Në një akt solemn të përkushtimit dhe respektit për të kaluarën heroike të vendit, nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, bëri sot homazhe pranë pllakave përkujtimore të martirëve të fshatit Mirenë.
Me vendosjen e një buqete me lule dhe përkulje para kujtimit të të rënëve, nënkryetari Bytyqi nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe nderimit të vazhdueshëm për ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Është detyrë e shenjtë institucionale dhe qytetare që t’i mbajmë gjallë kujtimet për martirët dhe dëshmorët tanë. Kjo trashëgimi e qëndresës dhe sakrificës duhet të përcillet brez pas brezi si simbol i identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare,” theksoi ai.
Homazhet e sotme përbëjnë një dëshmi të qartë se respekti për të kaluarën është themel për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të vetëdijshme për sakrificat që sollën lirinë.
Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të kombit!