Një numër i madh qytetarësh u mblodhën në Lipjan në kuadër të tubimit elektoral të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku para të pranishmëve foli Presidentja e gjashtë e Kosovës dhe kandidatja për presidente për mandat të dytë, njëherësh bartëse e listës së LDK-së, Vjosa Osmani.
Duke e nisur fjalimin e saj, Osmani u shpreh e lumtur që ndodhej në Lipjan, komunë të cilën e cilësoi si një nga bastionet më të fuqishme të LDK-së dhe një shembull të qeverisjes së suksesshme lokale.
Ajo vlerësoi punën e kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, duke theksuar se rezultatet e arritura dëshmojnë se zhvillimi vjen përmes vizionit, përkushtimit dhe afërsisë me qytetarët.
“Puna e kryetarit Imri Ahmeti dhe e ekipit të tij ka dëshmuar se kur ekziston vizioni, përkushtimi dhe afërsia me qytetarin, komunat mund të bëhen motorë të zhvillimit dhe të stabilitetit institucional”, deklaroi Osmani.
Gjatë adresimit të saj, ajo foli edhe për sfidat me të cilat, sipas saj, po përballet vendi, duke theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë një moment i rëndësishëm për përcaktimin e drejtimit të ardhshëm të Kosovës.
“Më 7 qershor qytetarët nuk do të vendosin vetëm se kush do ta ketë shumicën parlamentare, por do të vendosin nëse Kosova do të vazhdojë të ndërtohet si shtet i institucioneve të forta apo do të vazhdojë të humbasë energji në kriza të pafundme politike”, tha ajo.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Osmani theksoi se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian mbetet jetike për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës.
“Kur Kosova është afër Amerikës, Kosova është më e fortë. Kur Kosova është afër NATO-s, Kosova është më e sigurt. Kur Kosova është afër Bashkimit Evropian, Kosova është më e zhvilluar”, u shpreh ajo.
Sipas Osmanit, ekipi politik që ajo përfaqëson së bashku me kandidatin për kryeministër Lumir Abdixhiku dhe kandidatët për deputetë synon ta rikthejë Kosovën fuqishëm në qendër të aleancës perëndimore, duke avancuar proceset integruese, forcimin e sigurisë dhe zhvillimin ekonomik.
Në fund të fjalimit, ajo bëri thirrje për unitet dhe angazhim qytetar, duke theksuar se Kosovës i nevojiten institucione të forta, ekonomi e zhvilluar, siguri dhe partneritete të qëndrueshme ndërkombëtare.
“Le të flasë Lipjani me zërin e tij të fuqishëm. Le të flasë Kosova me zërin e saj të bashkuar. Dhe le të fitojë Republika e Kosovës, shteti ynë i përbashkët”, përfundoi Osmani mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve.
