Lipjan, 22 Korrik 2025 – Një lajm i rëndësishëm për skenën politike lokale vjen nga Lipjani. Iliri, një nga figurat më të njohura të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në këtë komunë, ka njoftuar publikisht tërheqjen e tij nga aktiviteti politik brenda subjektit, duke u tërhequr gjithashtu nga kandidatura për Kryetar Komune dhe nga të gjitha funksionet që ka ushtruar deri më sot.
Në një postim të bërë në rrjete sociale, Iliri e cilësoi vendimin si “të vështirë, por të nevojshëm”, duke theksuar se kjo është një fazë që kërkon reflektim dhe një drejtim të ri në rrugëtimin e tij profesional dhe personal.
“Ky vendim nuk ka qenë i lehtë, por është marrë me bindjen se në këtë fazë, një hap i tillë është më i miri për rrugëtimin tim të mëtejmë,” – shkroi ai.
Iliri falënderoi me mirënjohje të thellë të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë dhe qytetarët që kanë qëndruar pranë tij ndër vite, duke shtuar se mbështetja e tyre ka qenë motivimi kryesor në angazhimet e tij, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.
“Mbështetja juaj ka qenë motivimi më i madh në çdo angazhim timin,” – theksoi ai më tej.
Megjithëse i tërhequr nga funksionet aktuale politike, Iliri nuk përjashton rikthimin e tij në skenën publike, duke lënë të hapur mundësinë e angazhimit të ardhshëm për të mirën e qytetarëve dhe vendit.
“Betejat politike nuk përfundojnë këtu. Do të shihemi sërish – me të njëjtin përkushtim për të mirën e qytetarëve dhe të vendit tonë,” – përfundoi ai mesazhin e tij.
Ky zhvillim pritet të sjellë lëvizje të reja në strukturat lokale të AAK-së në Lipjan, si dhe të hapë diskutime të reja mbi drejtimin e ardhshëm të kësaj dege partiake.
Gazeta Lipjani.info do të vijojë të raportojë mbi zhvillimet e mëtejme politike në komunën tonë.