Lipjan, 22 Korrik 2025 – Komuna e Lipjanit po vazhdon bashkëpunimin e saj me organizatën humanitare “Qatar Charity”, përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të re bashkëpunimi që sjell përfitime konkrete për qytetarët në fushën e arsimit dhe bujqësisë.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, dhe drejtori i organizatës “Qatar Charity”, z. Esam Dabab, kanë firmosur sot marrëveshjen për realizimin e dy projekteve të rëndësishme:
- Furnizimin me inventar shkollor për shkollën “Zenel Hajdini” në fshatin Gadime, përfshirë banka, karrige dhe tabela.
- Shpërndarjen e granteve në sektorin e bujqësisë, përmes pajisjeve si serra bujqësore dhe motokultivatorë me frezë, kosë dhe rimorkio, me qëllim të fuqizimit ekonomik të familjeve në nevojë.
Me këtë rast, kryetari Ahmeti ka falënderuar z. Dabab për bashkëpunimin dhe për mbështetjen e vazhdueshme të organizatës në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës.
“Mbështetja e Qatar Charity është një model i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe kontribuon dukshëm në ngritjen e cilësisë së jetës në komunën tonë,” tha Ahmeti.
Në anën tjetër, drejtori i “Qatar Charity” në Kosovë, z. Esam Dabab, vlerësoi bashkëpunimin me Komunën e Lipjanit, duke e cilësuar atë si një partner të qëndrueshëm dhe korrekt.
“Komuna e Lipjanit ka treguar gjithmonë vullnet dhe seriozitet në projektet e përbashkëta, dhe ne do të vazhdojmë të jemi të pranishëm në ndihmë të qytetarëve,” theksoi Dabab.
Ky bashkëpunim shumëvjeçar ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe “Qatar Charity” ka rezultuar në projekte të suksesshme në fusha të ndryshme, ndërsa autoritetet lokale paralajmërojnë vazhdimin e tij me projekte të reja në të ardhmen.
Gazeta Lipjani.info do të vijojë të sjellë informacione mbi projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të komunës.