Shalẽ, 4 tetor 2025 – Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Lipjanit, Ilir Qeriqi, ka zhvilluar sonte një takim me qytetarët e fshatit Shalë, ku u shoqërua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Lipjan, Adnan Rrustemi.
Takimi u karakterizua nga pjesëmarrja e madhe e banorëve dhe një atmosferë entuziaste, të cilën Qeriqi e përshkroi si “energji të jashtëzakonshme”.
“Një takim i ngrohtë me qytetarët që dëshmojnë përkushtim, punë dhe besim në ndryshimin që po e ndërtojmë bashkë. Çdo takim si ky na jep forcë e motivim për të vazhduar me edhe më shumë përkushtim. Faleminderit për mikpritjen, për energjinë dhe për mbështetjen që na jepni çdo ditë!”, deklaroi Qeriqi.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e investimeve në ekonomi lokale, energji dhe zhvillim të qëndrueshëm, si pjesë e vizionit të Lëvizjes Vetëvendosje për një Lipjan më të zhvilluar dhe më afër qytetarëve.
Ky aktivitet është pjesë e turit zgjedhor të Qeriqit në terren, që po zhvillohet në prag të zgjedhjeve komunale të 12 tetorit, me synim komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe prezantimin e programit të ndryshimit.