Lipjan, 4 tetor 2025 – Magura sonte u shndërrua në epiqendrën e fitores së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku qindra qytetarë u bashkuan në një tubim masiv në mbështetje të kandidatit për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.
Në një atmosferë entuziaste dhe pjesëmarrje të lartë, Ahmeti falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe për besimin e treguar ndaj punës së bërë gjatë viteve të fundit.
“Në qytetëzën e minatorëve, aty ku dikur brezi i guximshëm, me grevat në minierë, mes tyre edhe babai im, ngritën zërin për lirinë e vendit, sot u ngritën sërish, por për një qëllim tjetër – zhvillimin e Magurës,” theksoi Ahmeti.
Ai shtoi se programi i tij për mandatin e ardhshëm fokusohet në vazhdimin e projekteve të zhvillimit, transparencës dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e komunës.
LDK-ja vlerëson se mbështetja e treguar në Magurë është dëshmi e qartë se qytetarët besojnë në punën dhe rezultatet e deritanishme të qeverisjes lokale.
“Kjo mbështetje dhe ky besim e bëjnë fitoren të pakontestueshme! Faleminderit Magurë!”, përfundoi Ahmeti.