Modelja e njohur Gigi Hadid ka reaguar publikisht pas publikimit të dokumenteve të Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ku emri i saj dhe i motrës së saj, Bella Hadid, përmenden në disa emaile të vitit 2015 që lidhen me Jeffrey Epstein.
Në një përgjigje ndaj një komenti në rrjetin social Instagram, Hadid e cilësoi Epstein si një “person të neveritshëm”, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me të. Ajo u shpreh se është “e tmerrshme” të lexosh komente për veten nga dikush që nuk e ke takuar kurrë, sidomos në një kontekst kaq të ndjeshëm.
Modelja sqaroi gjithashtu se fillimisht kishte zgjedhur të mos reagonte publikisht, për të mos errësuar dëshmitë dhe përvojat e viktimave reale të këtij rasti. Ajo theksoi se karriera e saj në industrinë e modës është ndërtuar ekskluzivisht mbi punën dhe përkushtimin e saj ndër vite.
Sipas saj, ajo ka nënshkruar kontratën e parë me një agjenci modelimi në vitin 2012 dhe që atëherë ka punuar vazhdimisht për të ndërtuar emrin e saj në këtë industri. “Përmendja e emrit tim në këto dosje është shqetësuese dhe dua të jem e qartë: nuk kam pasur kurrë të bëj me këtë person”, deklaroi Gigi Hadid.
Ndërkohë, dokumentet e publikuara zbulojnë një shkëmbim emailesh ku Jeffrey Epstein diskutonte për karrierën e motrave Hadid në modelim. Në një bisedë të datës 3 dhjetor 2015, një person i panjohur e pyeste Epstein se si ato arritën sukses në këtë fushë, ndërsa ai kishte mohuar që suksesi i tyre të ishte rezultat i ndikimit familjar.
Ky zhvillim ka rikthyer në vëmendje lidhjet dhe komentet e Epstein për figura të ndryshme publike, duke nxitur sërish debat mbi ndikimin dhe përmasat e rrjetit të tij.
