Lipjan, 5 tetor 2025 – Në një atmosferë elektrizuese dhe pjesëmarrje të madhe qytetarësh, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbajti sonte tubimin qendror zgjedhor në qytetin e Lipjanit.
Në këtë tubim, kandidati për kryetar të komunës, Imri Ahmeti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, adresuan mbështetësit, duke shprehur bindjen se fitorja më 12 tetor është e sigurt.
Kandidati për kryetar, Imri Ahmeti, tha se qytetarët e Lipjanit tashmë kanë vendosur për të ardhmen e komunës.
“Tani paska vendosur tashmë gjithçka – Lipjani sonte po flet: fitore, fitore më 12 tetor!
113 është numri ynë, numri i punës dhe i zhvillimit. Çdo numër tjetër është numër i kthimit prapa, numër i arrogancës. Prandaj ju ftoj që të punojmë bashkë dhe më 12 tetor ta festojmë fitoren e madhe të Lipjanit,” deklaroi Ahmeti.
Ai theksoi se Lipjani është sot shembull i qeverisjes lokale, i vlerësuar dhe i pranuar në gjithë Kosovën.
“Sot Lipjani është qytet konkurrent, qytet i zhvillimit, qyteti më i mirë në Kosovë,” shtoi Ahmeti mes duartrokitjeve të forta të mbështetësve.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se LDK mbetet shpresa e parë dhe e fundit e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Sonte këtu, në mesin tuaj, në mesin e mbështetësve që punojnë me zemër për Lidhjen Demokratike të Kosovës, po dëshmojmë edhe njëherë se Lipjani është qyteti ynë. Ky është tubimi i fitores!” – tha Abdixhiku.
Tubimi përmbyllës i LDK-së në Lipjan u shënua me entuziazëm të madh, ndërsa mesazhi i qartë që u përcoll ishte: bashkim për fitore dhe vazhdim i punës e zhvillimit në komunë.









