Lipjan, 9 shtator 2025 – Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Lipjanit, Ilir Qeriqi, ka zhvilluar sot dy aktivitete parazgjedhore, duke shpalosur prioritetet e tij për zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e trashëgimisë arsimore.
Në aktivitetin e parë, Qeriqi vizitoi kompanitë Agrovizioni, Agro Unioni dhe Meagron në fshatin Llugagji, ku bisedoi me fermerë për sfidat dhe mundësitë në sektorin bujqësor. Ai theksoi se agrobujqësia është shtyllë e ekonomisë së Lipjanit, dhe se në qeverisjen e tij do të kthehet në “motor të fuqishëm të zhvillimit lokal”.
Në aktivitetin e dytë, Qeriqi vizitoi fshatin Banullë, ku u ndal te tri godina të rëndësishme – dy ish-shkolla dhe objektin e dikurshëm të AMF-së. Ai kritikoi qeverisjen aktuale për lënien pas dore të këtyre ndërtesave, të cilat sipas tij përfaqësojnë trashëgiminë arsimore dhe kulturore të komunës.
“Pushteti në Lipjan ka vendosur të mbyllë sytë për trashëgiminë që ruajnë këto ndërtesa, duke menduar se investimi në to nuk është fitimprurës. Ky pushtet i stërvjetruar e ka fundin më 12 tetor”, tha Qeriqi.
Ai shtoi se këto objekte mund të shndërrohen në hapësira të reja me vlerë për komunitetin, nëse ka vullnet politik dhe vizion për zhvillim.
“Bashkë për komunën, bashkë për ndryshimin në Lipjan”, përfundoi kandidati i LVV-së.
