Në një atmosferë entuziazmi dhe mobilizimi politik, qindra qytetarë janë mbledhur në Gadime në një tubim të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku u shpreh mbështetje për kandidatin për kryeministër Lumir Abdixhiku dhe kandidaten për presidente Vjosa Osmani.
Nga afër, atmosfera në tubim u karakterizua nga pjesëmarrje e madhe e qytetarëve, brohoritje dhe mesazhe mbështetëse për atë që organizatorët e cilësuan si “rrugëtim të shpresës, bashkimit dhe ndryshimit për Kosovën”.
Përfaqësues të degës së LDK-së në Lipjan deklaruan se tubime të tilla po dëshmojnë rritjen e mbështetjes qytetare për këtë subjekt politik dhe vizionin që ai prezanton për vendin.
“Së bashku po ndërtojmë ngritjen e re të Republikës”, u tha gjatë aktivitetit, ndërsa u potencua se Gadimja historikisht ka qenë një ndër zonat me përkrahje të fuqishme për LDK-në.
Në tubim mbështetje të konsiderueshme morën edhe kandidatët për deputetë nga dega e Lipjanit:
- Daut Azemi – 55
- Armend Grajqevci – 56
- Anila Reçica Llugiqi – 57
- Safete Amerllahu – 58
Pjesëmarrësit në takim shprehën optimizëm për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa organizatorët theksuan se mobilizimi qytetar në terren po vazhdon çdo ditë në të gjitha lokalitetet e Lipjanit.
